Shqipëria dhe Kosova, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt më në 20 Qershor 2022, në Prishtinë, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për studimin e fizibilitetit dhe Projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë.
Zgjatimi i linjës hekurudhore (4 km) deri në Bulevardin e Ri të Tiranës me një Terminal të ri hekurudhor në zemër të kryeqytetit, është pranë finalizimit për Projektin e Zbatimit për të cilën është duke u siguruar financimi nga BERZH.
Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit “Nënë Tereza” do të jetë rreth 10 minuta me tren ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 26 minuta.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, e gjithë procedura për përzgjedhjen e operatorit do të bëhet në bazë të legjislacionit të prokurimit të Shqipërisë ndërsa operatori do të ketë afat prej 14 muajsh nga data e nënshkrimit të kontratës për kryerjen e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë.
Kosto totale për realizimin e Studimit te Fizibilitetit dhe hartimit të Projekt – Idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri – Kosovë, parashikohet të jetë rreth 1,980,000 (një milion e nëntëqind e tetëdhjetë mijë) Euro.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë do të ndajë shumën prej 1,000,000 (një milion) Euro, ose rreth 51% të kostos totale, ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të ndajë shumën prej 980,000 (nëntëqind e tetëdhjetë mijë) Euro, ose 49% të kostos totale.
Hekurudha Shqiptare do të jetë përgjegjëse për proçedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e operatorit që do të kryejë studimin e fizibilitetit dhe projekt-idenë për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës.






