Projekti per rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një lidhje hekurudhore me aeroportin e Rinasit, është në zbatim e sipër dhe përfshin rehabilitimin e trasesë, sinjalizimi-telekomunikacioni, rrethimin dhe kalesat në nivel.
Zgjatimi i linjës hekurudhore (4 km) deri në Bulevardin e Ri të Tiranës me një Terminal të ri hekurudhor në zemër të kryeqytetit, është pranë finalizimit për Projektin e Zbatimit për të cilën është duke u siguruar financimi nga BERZH.
Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit “Nënë Tereza” do të jetë rreth 10 minuta me tren ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 26 minuta.
Ky projekt pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore.
Ky projekt paraqet një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt Aeroportit Nënë Tereza nëpërmjet përdorimit të trenit që do konkurojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, gjë që do të ndikojë edhe në përmirësimin e qarkullimit të makinave në oraret e pikut dhe uljen e ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe në qytetin e Durrësit.
Projekti i hekurudhës Durrës – Tiranë dhe lidhja me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës plotëson dhe arrin në efektivitet të plotë multimodalitetin e rrjetit infrastrukturor midis dy metropoleve, duke krijuar një rrjet efiçent midis infrastrukturës rrugore, aeroportit ndërkombëtar dhe portit më të madh në vend dhe më të rëndësishëm në rajon, Porti i Durrësit.