Administratori i Shoqërisë, Hekurudha Shqiptare SH.A., Z. Gentian Liko ka përshëndetur në ditën e parë të forumit ndërkombëtar “Tirana Connectivity Forum 2022”, i organizuar në Durrës, i mirëpritur nga Autoriteti Portual Durrës, me fjalën e tij të rastit në panelin “Rëndësia e Korridorit të ri Europian të Transportit të Ballkanit Perëndimor – Dimensioni Lindje-Perëndim”
Ky panel, i moderuar nga Traktati i Komunitetit të Transportit, përvec Hekurudhës Shqiptare, ka patur praninë edhe të drejtuesve të infrastrukturës hekurudhore të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si dhe drejtuesi i politikave të Ministrisë Bullgare të Transportit, si dhe mbështetjen e ambasadores së BE-së në Shqipëri, ambasadave të tjera, dhe Shoqërisë Civile të kryesuar nga CDI Albania.
Z. Liko, në forum ka informuar pjesëmarrësit e shumtë, mbi projektet strategjike hekurudhore për vitalizimin e rrjetit hekurudhor shqiptar dhe mbi “Zhvillimin e mëtejshëm të Korridorit VIII Hekurudhor”. Nëpërmjet fjalës së tij të rastit, pjesëmarrësit u njohën me mundësitë konkrete për të përfunduar projektet hekurudhore brenda vitit 2030, duke respektuar kërkesat kryesore të rrjetit të transportit transevropian, TEN-T.
Z. Liko ka promovuar të gjitha projekt-idetë dhe studimet në zhvillim, si dhe projektet e investimeve që bashkëshoqërojnë vizionin e Qeverisë Shqiptare, për të arritur sukses në përmirësimin e rrjetit hekurudhor dhe zhvillimin e Korridorit VIII për vendin tonë dhe rajonin.
Komuniteti i transportit të rajonit, ku Z. Liko është anëtar i rrjetit të administruesve të infrastrukturave të transportit për Ballkanin Perëndimor, po shënon progres në dimensionet kryesore (flagship) të planit ekonomik dhe investimeve të Ballkanit Perëndimor me zhvillimet e infrastrukturës hekurudhore në aksin Lindje-Perëndim / Korridori VIII dhe aksit të lidhjes së rajoneve bregdetare.






