Rehabilitimi i rrjetit hekurudhor që lidh Tiranën me Durrësin dhe ndërtimi i segmentit të ri që u jep qasje këtyre dy qyteteve me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit ishte tema e takimeve informuese të zhvilluara ditën e sotme në Bashkitë e Vorës dhe Kamëz.
Përfaqësuesit e Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF) dhe Rrjetit për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri (AWEN), kontraktuar nga HBMC në kuadër të projektit të BERZH-it për “Fuqizimin e shoqërisë civile për promovimin e transportit të qëndrueshëm hekurudhor në Shqipëri”, diskutuan me përfaqësuesit e dy prej njësive vendore përgjatë të cilave shtrihet rrjeti hekurudhor në të cilin do të kryhen punimet.
Gjatë bashkëbisedimit me specialistët e Drejtorisë së Urbanistikës dhe Informimit në Bashkinë e Kamzës u dakordësua për një plan konkret bashkëpunimi me synim informimin sa më të gjërë të grupeve të interesit që ndikohen drejtpërdrejt nga faza ndërtimore e rrjetit hekurudhor.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile theksuan rëndësinë që ka rritja e ndërgjegjësimit të banorëve të zonës për ndikimin që do të sjellë direkt dhe indirekt zbatimi i projektit për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe degëzimin e saj me aeroportin e Rinasit.
Në Bashkinë e Vorës u theksua nevoja që bashkë me Drejtorinë e Shërbimit Social e Ndihmës Ekonomike të mund të evidentohen sa më shumë grupe vulnerable dhe të gjenden rrugët e duhura për informimin e tyre rreth projektit dhe ndryshimeve të pritshme.






