Bashkimi Europian financion Studimin e Realizueshmërisë për Rehabilitimin e linjës së hekurudhës Durrës-Elbasan-Pogradec dhe ndërtimin e linjës së re nga Lini në kufirin e Republikës të Maqedonisë së Veriut.
Më datë 9 tetor 2018 u prezantua projekti mbi Studimin e Realizueshmërisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durres-Rrogozhinë–Elbasan– Pogradec, financuar nga fonde të Komisionit Evropian, të mundësuara përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perendimor. Studimi ka filluar në prill 2017 dhe do të përfundojë në fund të tetorit 2018. Takimi përfundimtar do të zhvillohet më 9 tetor 2018, në Hotel Tirana, Sheshi Skënderbej, në ora 10:00.
Studimi është kryer në dy faza. Gjatë fazës së I-rë u krye vlerësimi i para- realizueshmërisë për të gjithë linjën hekurudhore 151 km, 72 km e parë të së cilës ndërmjet Durrësit–Rrogozhinës–Elbasanit janë në punë sot. Pjesa e mbetur prej 79 km nga Elbasani në Pogradec nuk janë në funksion për shkak të gjendjes së keqe të linjës dhe të strukturave (urave dhe tuneleve) përgjatë saj. Studimi i para-realizueshmërisë përfshiu një analizë kosto-përfitimi (CBA) përmes vlerësimit të tre skenarëve të zhvillimit të projektit. Për skenarin e përzgjedhur, projekti konceptual u përgatit për të gjithë linjën hekurudhore. Si rezutat i fazës së I-rë u krye një prioritarizim i të gjithë segmenteve të linjës hekurudhore. Segmenti Durrës-Rrogozhinë u vlerësua me prioritet më të lartë për ndërhyrjet e rehabilitimit.
Gjatë fazës së II-të, u përgatitën projekti paraprak dhe analiza përkatëse e kosto-perfitimit për segmentin prioritar Durrës–Rrogozhinë, së bashku me vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis, përgatitur sipas kuadrit ligjor vendas. Segmenti i linjës Durrës – Rrogozhinë është i gjatë 33.5 km. Kosto e rehabilitimit vlerësohet 52 mln Euro. Rehabilitimi i këtij segmenti me prioritet të lartë do të përmbushë standartet e projektimit të Rrjetit Ndër Europian me shpejtësi 100 km/orë dhe ngarkesë aksi 22.5 ton. Koha e udhëtimit do të reduktohet nga 60 min në 32 min. Lëvizja përgjatë këtij segmenti pritet të arrijë 330.000 pasagjerë dhe 1,100,000 ton mallra deri në vitin 2047. Vlera e përllogaritur në kursimin e kohës për përdoruesit e sistemit të transportit shqiptar do të jetë 0,65 milion EURO për udhëtarët dhe 15.3 milion EURO për transportin e mallrave. Kursimet shtesë nga zvogëlimi i kostos së operimit të automjeteve në transportin rrugor përllogariten në 0,5 milion EURO për udhëtarët dhe 8,7 milion EURO për transportin e mallrave.
Rehabilitimi i të gjithë linjës hekurudhore do të ndikojë në zhvillimin e transportit strategjik multimodal për Ballkanin Perendimor. Linja hekurudhore Durrës–Elbasan–Pogradec me linjën e re nga Lini në kufi me Republikën e Maqedonisë së Veriut është pjesë e Korridorit të VIII-të Pan-Europian dhe është pjesë e Rrjetit Gjithëpërfshirës Hekurudhor SEETO. Ajo lidh kryeqytetet Tiranë, Shkup dhe Sofie si edhe portin e Durrësit në detin Adriatik me portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi. Vazhdimi dhe lidhja e linjës hekurudhore nga Pogradeci në Rrjetin Hekurudhor të Greqisë parashikohet gjithashtu të zhvillohet .
Përgatitja e këtij studimi është mundësuar nga Komisioni Europian me një grant prej 720,000 EURO dhënë Shqipërisë nga fondet rajonale të Instrumentit të Paraaderimit (IPA) financuar nëpërmjet Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perendimor (WBIF). Qeveria Shqiptare ka vendosur të vijojë me zhvillimin e projektit të rehabilitimit të të gjithë linjës hekurudhore dhe për këtë arsye ka bërë kërkesë së fundmi pranë WBIF për dy grante të tjera asistence teknike. I pari, për përgatitjen e projektit të zbatimit për segmentin prioritar nga Durrësi në Rrogozhinë dhe i dyti, për përgatitjen e projektit paraprak të analizës kosto-përfitim dhe vlëresimit të ndikimit në mjedis dhe social të pjesës së mbetur, segmenti hekurudhor nga Rrogozhina në Pogradec përfshirë ndërtimin e linjës së re 2.8 km që lidh Linin me kufirin e Republikes së Maqedonisë të Veriut .






