
Zhvillimi i transportit të sigurt e të qëndrueshëm hekurudhor është një ndër prioritetet strategjike të Qeverisë Shqiptare. Në këtë kontekst, Qeveria Shqiptare i ka mundësuar shoqërisë publike “Hekurudha Shqiptare” sh.a. financimin e nevojshëm me hua dhe grant nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) për rehabilitimin e seksionit hekurudhor Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një lidhje hekurudhore me aeroportin e Rinasit.
Krahas investimeve në infrastrukturë fizike (rehabilitim traseje, sistem sinjalizimi-telekomunikacioni, rrethimin dhe automatizimi i kalesave në nivel), mbështetja e BERZH përfshin edhe një projekt bashkëpunimi teknik titulluar “Rritja e Kapacitetit të Shoqërisë Civile për të Promovuar Përdorimin e Sigurt dhe Përfitimet e Qëndrueshme të Transportit Hekurudhor në Shqipëri.
Ky projekt synon të rrisë kapacitetin e shoqërisë civile (OSHC) dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi përfitimet social-ekonomike dhe mjedisore të transportit hekurudhor, rreziqet e sigurisë, përmirësimet e nevojshme të trasesë dhe lëvizjen e trenave, si dhe dispozitat ligjore në lidhje me shkeljen e normave të transportit hekurudhor.
BERZH ka angazhuar një konsulent lokal (HBMC) për të koordinuar zbatimin e projektit dhe 5 organizata të shoqërisë civile për të zhvilluar – përgjatë 18 muajve duke filluar nga 18 Janari 2021 – aktivitete për ndërgjegjësimin e palëve të interesuara mbi përfitimet e përdorimit të transportit publik në përgjithësi dhe masat e sigurisë në veçanti.
Grupet kryesore të interesit (palë të ndodhura në afërsi e përgjatë korridorit hekurudhor Tiranë-Durrës dhe lidhjes me aeroportin e Rinasit dhe që impaktohen nga projekti për rehabilitimin e hekurudhës në këtë seksion), ku veçojmë:
1. Institucionet e qeverisjes vendore (kryesisht drejtuesit dhe stafet e strukturave përkatëse që mbulojnë çështjet e zhvillimit urban, informimin e publikut, ndihmën ekonomike dhe shërbimin social)
2. Institucionet e shërbimeve publike (zyra postare, qëndra shërbimi shëndetësor, shërbime bankare
3. Mësuesit e afro 120 shkollave të sistemit parauniversitar
4. Bizneset (sipërmarrje prodhuese, tregtuese dhe shërbimi, përfshirë qendrat e mëdha tregtare),
do të informohen gjerësisht në seanca trajnuese/ndërgjegjësuese të zhvilluara nga organizata të shoqërisë civile dhe do t’u vihen në dispozicion kopje të materialeve informuese dhe ndërgjegjësuese për informimin e mëtejshëm të grupeve të ndryshme të interesit në komunitetin që mbulojnë/shërbejnë (popullatën e gjerë dhe grupet vulnerable).

