null

HEKURUDHA NDËR VITE

Linjat e para hekurudhore në Shqipëri ishin linja minerare dhe ushtarake me skartament të ngushtë, të ndërtuara ndërmjet viteve 1917 dhe 1930, nga austro – hungarezët dhe italianët. Ndërtimi i një sistemi hekurudhor me skartament standard, filloi në vitin 1947 dhe vazhdoi me shpejtësi për të arritur në përmasat e tij aktuale prej 677 km, në vitin 1987.

Rrjeti hekurudhor shtrihet nga Porti i Durresit, në Detin Adriatik, dhe shkon në tre drejtime: në veri drejt kufirit Shqiptaro – Malazez në Han të Hotit, në jug drejt Ballshit dhe Portit të Vlorës dhe në lindje drejt Pogradecit, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut. Hekurudha mbulon zonat më të populluara industriale dhe të banimit.

 

Hekurudhat Shqiptare u ndërtuan gjatë periudhës së ekonomisë me planifikim të centralizuar, ku Qeveria vendoste kufizime shumë të forta mbi llojet e tjera të transportit. Pronësia e autoveturave ishte e ndaluar dhe, në rrugët që kalonin paralel me hekurudhën, ishin të ndaluara trafiku i autobusëve dhe lëvizjet e mallrave në një gjatësi mbi 11 km.

Ekzistonin një numër industrish prodhuese dhe një industri minerare shumë aktive që furnizonin industritë e Europës Lindore nëpërmjet lidhjes hekurudhore me Malin e Zi, e vetmja lidhje ndërmjet HSH dhe rrjetit hekurudhor Europian, vetëm për transportin e mallrave.

 

Me ndryshimet politike dhe ekonomike të viteve 1990, kërkesat për transport kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Ka pasur një rritje të shpejtë të shërbimeve private të kamionëve dhe autobusëve dhe sidomos të autoveturave private që e kanë devijuar trafikun nga hekurudha. Shumë miniera dhe fabrika shtetërore janë mbyllur duke e ulur në mënyrë serioze trafikun hekurudhor.

Nëntor 1947

Inagurohet linja e parë hekurudhore me skartament standard nga Durrësi në Peqin.

Qershor 1957

Futet për herë të parë tërheqja Diezel Elektrike

Korrik 1973

Përfundimi i linjës së parë hekurudhore malore nga Elbasani në Prrenjas, me një pjerrtësi deri në 18 0/00.

Viti 1980

Hekurudhat Shqiptare realizojnë 47% të volumit të përgjithshëm të transportit të mallrave në vend.

Shtator 1986

Fillon transporti ndërkombëtar hekurudhor i mallrave nëpërmjet linjës Bajzë – Tuz.

Viti 2000

H.SH. u transformua nga një Ndërmarrje Shtetërore në Shoqëri Anonime, me 100% kapital shtetëror.

Mars 2005

Hyrja në fuqi e Kodit të ri Hekurudhor, që i lejon operatorët e tjerë të kenë akses në H.SH.